Rahovec,16 maj 2010 – Është mbyllur edicioni i 9-të i festivalit tradicional folklorik “Anadrinia jehon 2010”, i cili është mbajtur në Denjë të Rahavecit. Juria treanëtarëshe në përbërje:Dilaver Kryeziu, Rexhep Munishi dhe Ukë Xhema, çmiminër shoqërinë më të mirë tëe festivalit ia ndau SHKA “Bajram Curri” nga Romaja e Hasit, të pasuar nga SHKA “Jehona e Malësisë së Sharrit” nga Tetova
dhe SHKA “Kemal Azizi” nga Vitia, kurse çmimin special e ka fituar SHKA “Bresana”. Krahas shoqërive më të dalluara, juria ka përzgjedhur edhe fitues tjerë të festivalit, si Grupi i rapsodëve më të mirë është shpallur SHKA “Dita” nga Shtimja, rapsodi më i mirë, Lekë Dohani nga Klina, pastaj orkestrina më e mirë është shpallur ajo e SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani, ndërsa solistja më e mirë është shpallur Filloreta Hoxha e SHKA “Salih e Feriz Krasniqi” nga Malisheva. Në kuadër të festivalit epiteti i instrumentalistit më të mirë i ka takuar Afrim Lekës nga Lipjani, valltari më i mirë është shpallur Ajri Misini nga Tetova, ndërkaq grupi më i mirë i vajzave është shpallur SHKA”Bajram Curri” nga Krusha e Madhe. Kryetari jurisë,Dilaver Kryeziu, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve ka pohuar se për nga vlerat ”Anadrinia jehon” mund të krahasohet me festivalin e famshëm të Gjirokastrës, meqë këtu shihet qartë se populli shqiptar ka vlera të mirëfillta burimore. Edicioni i 9-të i festivali folklorik “Anadrinia jehon 2010” organizohet në kuadër të Javës së dëshmorëve.